
Në kushtet e mbylljes së shkollave, mësimdhënësit po zbatojnë mënyra të reja të procesit të vlerësimit të procesit të të nxënit, nxënësit po përballen me mënyra të reja të nxënies dhe të vlerësimit, si dhe shumë prindër po e gjejnë veten me një titull të ri, të papritur dhe sfidues “Mësues”. Situata e krijuar nga COVID-19 ka ndërgjegjësuar të gjithë qytetarët, por mbi të gjitha bashkëpunimi mësimdhënës – prindër – nxënës në këtë situatë po merr një përmasë më të madhe. Procesi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet këtij trinomi, si dhe procesi i vlerësimit nëpërmjet rrjeteve sociale, platformave të ndryshme online është më i miri i mundshëm që mund të realizohet në këto kushte, në mënyrë që fëmijët të vijojnë me marrjen e njohurive dhe të aftësive që kërkon programi deri në përfundim të vitit shkollor. Nga ana tjetër, prindërit nuk janë mësues dhe mund të ndjehen të mbingarkuar nga presioni për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të përvetësojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme gjatë kohës që shkollat janë mbyllur. Megjithatë në këto momente, klasa virtuale dhe komunikimi online i nxënësve me mësuesit dhe shokët e tyre është mënyra e vetme për të vazhduar dhe përmbyllur procesin e mësimit. Ndërveprimi mes mësimdhënësve dhe nxënësve është shumë i rëndësishëm në procesin mësimor online pasi inkurajon të nxënit e nxënësve.
Roli i mësimdhënësit për vlerësimin gjatë mësimit në distancë
Mësimdhënësi është lehtësues, udhëzues dhe monitoron nxënësit, veçanërisht në procesin e vlerësimit. Më poshtë listohen disa përgjegjësi të mësimdhënësit për vlerësimin gjatë mësimit në distancë. Mësimdhënësi:
■ kujdeset për mirëqenien psiko-emocionale të nxënësve’
■ informon nxënësit për respektimin e rregullave të sjelljes etike gjatë zhvillimit të mësimit online në platforma të ndryshme;
■ informon nxënësit që të jenë të vetëdijshëm për dallimet individuale ndërmjet tyre, si dhe për hartimin e materialeve mësimore të përshtatshme;
■ planifikon përmbajtje mësimore me informacion real dhe aktual për të transmetuar dije duke i konkretizuar me shembuj;
■ kryen vlerësime në mënyrë periodike, si pjesë e vazhdueshme e procesit të të nxënit dhe mësimdhënies;
■ siguron që vlerësimi i nxënësit të mbështesë të nxënët dhe të bazohet në një bazë të dhënash, të cilat gjykohen përkundrejt rezultateve të pritshme duke nxitur progresin e nxënësit;
■ përfshin nxënësit plotësisht në procesin e vlerësimit dhe i ndihmon ata të kuptojnë çfarë pritet prej tyre;
Roli i nxënësit për vlerësimin gjatë mësimit në distancë
Mësimi online në kushtet e shtëpisë, megjithëse nuk mund ta zëvendësojë mësimin në klasë, ka krijuar mundësi që nxënësit të punojnë dhe të krijojnë të pavarur në kushtet e shtëpisë duke përdorur burime digjitale alternative. Sot nxënësit rriten me teknologji dhe ky burim është lehtësisht i përdorshëm për ta. Më poshtë listohen disa përgjegjësi të nxënësit gjatë mësimit në distancë. Nxënësi:
■ angazhohet aktivisht në procesin e të nxënit duke treguar përgjegjësi në zhvillimin e detyrave; ■ respekton rregullat etike të komunikimit online;
■ vlerësohet si pjesë e të nxënit të përditshëm përmes një sërë veprimtarish: kërkime praktike, demonstrime, prezantime me gojë, diskutime etj., përfshirë edhe dialogun dhe ndërveprimin me bashkëmoshatarët dhe mësuesit;
■ vlerësohet përmes punëve me shkrim dhe produkteve të tilla, si: veprimtari krijuese, raportime, projekte;
■ rishikon të nxënit e tij përmes vetëvlerësimit dhe vlerësimit nga shokët e tij;
■ kontribuon në moderimin e vlerësimit duke gjykuar mbi arritjet e tij;
■ këshillohet me mësimdhënësin për vështirësitë duke i drejtuar pyetje mbi vështirësitë e tij;
■ ndërmerr iniciativa për të kryer detyra hulumtuese, për të zgjidhur probleme, për të kryer përpunimin e informacionit etj.
Roli i prindërve për vlerësimin gjatë mësimit në distancë
Prindërit:
■ janë pjesë e grupeve të komunikimit me mësimdhënësit për të marrë sa më shumë informacion lidhur me procedurat e mësimit në distancë, sipas kushteve;
■ janë pjesë e vendimeve për mënyrën e organizimit të mësimit në distancë, si dhe për vlerësimin e fëmijëve të tyre;
■ krijojnë kushtet dhe mjedisin që fëmijët e tyre të marrin pjesë rregullisht në mësimin në distancë;
■ përfshihen aktivisht në mbështetje të të nxënit të fëmijëve dhe të angazhimit të tyre në zhvillimin e detyrave;
■ marrin informacion të rregullt rreth anëve të forta të fëmijëve të tyre, progresit dhe arritjeve të tyre;
■ informohen për boshllëqet dhe mënyrat përmes të cilave mund t’u vinë në ndihmë fëmijëve të tyre;
■ mbështesin fëmijën në mësimin në kushtet e shtëpisë duke lehtësuar marrjen e informacionit nga mësuesit.
Temë është e përgatitur nga pedagogu S.E.
dhe publikuar në webfaqen zyrtare të shkollës më 27.10.2020
